Logopedi kosovar Iljasa Fazliu, i cili ishte arrestuar në nëntor të vitit 2022 pas publikimit të një audio-incizimi ku dëgjohej duke fyer një fëmijë, ka aplikuar për pozitën e shefit të Shërbimit të Logopedisë në QKUK, raporton Klan Kosova.
Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit të QKUK-së për verifikimin paraprak të kandidatëve që kanë aplikuar në konkursin e shpallur më 8 tetor.
Fazliu ka konkurruar për pozitën “Shef i Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë në QKUK”, ndërsa në garë për këtë pozitë janë edhe dy kandidatë të tjerë, Zahide Rraci dhe Granit Haliti.
Në nëntor të vitit 2022, Fazliu ishte ndaluar pas publikimit të një audio-incizimi nga ordinanca e tij private në Gjilan, ku dëgjohej duke fyer një fëmijë.
Në atë kohë, ai ushtronte detyrën e shefit të Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë në QKUK, pozitë nga e cila ishte larguar pas publikimit të rastit.
Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur ndaj tij aktakuzë për veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”.
Në nëntor të vitit 2024, Gjykata e kishte shpallur Fazliun të pafajshëm, duke nxjerrë aktgjykim lirues.
Megjithatë, deri më tani nuk dihet nëse Gjykata e Apelit ka marrë ndonjë vendim të mëvonshëm lidhur me këtë rast dhe nëse aktgjykimi lirues ka marrë formën e prerë.
