Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka kërkuar Presidentes Justina Shiroka-Pula që Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim.
Në një komunikatë për media, PDK-ja ka thënë se synimi është plotësimi i disa dispozitave dhe forcimi i sigurisë juridike, me qëllim të garantimit të të drejtave kushtetuese të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas PDK-së, ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij dhe rishqyrtimi do të shërbente për verifikimin profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij.
Partia ka theksuar se kërkesa është për rikthimin e ligjit në Kuvend, e jo në Qeveri, duke shprehur pritjen që ai të miratohet sërish brenda pak javësh.
PDK-ja ka ftuar ekspertët, përfshirë Avokatin e Popullit, që të paraqesin propozime konkrete për përmirësimin e ligjit.
Në komunikatë, partia ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin edhe për një strategji të koordinuar shtetërore për apelin në Hagë, sigurimin e fondeve dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen e të akuzuarve.
“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
