Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt është shoqëruar me tensione dhe përplasje të ashpra mes deputetëve.
Debati nisi pas shqetësimeve të ngritura nga deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, lidhur me vonesat në dorëzimin e dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.
Deklaratat e tij nxitën reagimin e deputetit të Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, duke çuar në një përplasje verbale mes tyre, e cila kaloi edhe në akuza personale.
Në debat u përfshi edhe deputetja e PDK-së, Adelina Tërshani, e cila reagoi pas kritikave të Rrahmanit ndaj Rrustemit.
Komisioni ka për detyrë të hetojë veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Për shkak të tensioneve dhe ndjeshmërisë së rastit, mbledhja u mbyll për media. Megjithatë, PDK-ja kërkoi që diskutimi të vazhdonte në prani të mediave.
