Përplasje në Komisionin për Ekonomi, hiqet nga rendi i ditës raportimi i Autoritetit të Konkurrencës

featured
0
Shpërndaj

Shpërndaje këtë postim

ose kopjo linkun

Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion është shoqëruar me debate të ashpra dhe përplasje mes deputetëve, ku në fokus ishte rendi i ditës dhe trajtimi i disa çështjeve me rëndësi.

Pas diskutimeve, komisioni vendosi të largojë nga rendi i ditës raportimin e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, ndërsa miratoi përfshirjen e projektligjit për Rregullatorin e Energjisë (ZRRE).

Propozimi për largimin e raportimit të Autoritetit të Konkurrencës erdhi nga deputeti Artan Asllani, i cili arsyetoi se përfaqësuesit e këtij institucioni nuk ishin të pranishëm në mbledhje, ndonëse ishin ftuar për të raportuar.

Ky propozim nxiti reagimin e deputetëve opozitarë. Mërgim Lushtaku nga PDK-ja kundërshtoi një veprim të tillë, duke theksuar se nuk është përgjegjësi e deputetëve të vendosin nëse përfaqësuesit e institucioneve të ftuara duhet të paraqiten apo jo.

Edhe deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, kritikoi Asllanin, ndërsa debati mes tyre u shoqërua me akuza dhe kundërpërgjigje. Në diskutim u përfshi edhe Ilir Kërçeli i LVV-së, i cili shprehu pakënaqësi për mungesën e përfaqësuesve të Autoritetit të Konkurrencës.

Përplasje pati edhe rreth kërkesës së deputetit Taulant Kelmendi për përfshirjen në rendin e ditës të projektligjit për Rregullatorin e Energjisë. Ai kërkoi që projektligji të shqyrtohej në mbledhjen e së martës, duke rikujtuar se Qeveria ia kishte përcjellë Kuvendit më 6 nëntor.

Kelmendi e arsyetoi kërkesën me rëndësinë e projektligjit për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, përmes të cilit vendi synon të përfitojë një paketë prej 882 milionë eurosh.

Kundër këtij propozimi doli kryetari i komisionit, Arben Mustafa, i cili vlerësoi se deputetët nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta analizuar një projektligj të kësaj rëndësie, pasi ai ishte pranuar vetëm pak ditë më parë.

Në debat u përfshi sërish Mërgim Lushtaku, i cili iu referua Rregullores së Kuvendit, duke theksuar se deputetëve duhet t’u sigurohen së paku tri ditë për përgatitje para shqyrtimit të një pike të rendit të ditës.

Në fund, komisioni vazhdoi punën me raportimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërsa mbledhja po zhvillohet pa praninë e anëtarëve të opozitës.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karaktere

Hyr

Hyni ose krijoni një llogari tani për të përfituar nga privilegjet e Gazetabruto.com, dhe plotësisht falas!

Hyr