Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Suspendimet janë bërë pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili po zhvillon hetime paraprake për veprimet dhe mosveprimet e mundshme të zyrtarëve policorë në këtë rast.
Në mesin e zyrtarëve të suspenduar janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës, komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.
Sipas informacioneve të raportuara, në mesin e të suspenduarve janë edhe Agron Hasanaj, Faik Jahmurataj, Ndue Nikolla, Sami Lekaj, Dervish Hasanaj dhe Faruk Muqolli.
Policia ka bërë të ditur se masa e suspendimit është ndërmarrë me qëllim të garantimit të një procesi të pavarur hetimor, forcimit të llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale.
Institucioni ka theksuar se do të bashkëpunojë ngushtë me organet përkatëse gjatë zhvillimit të hetimeve.
