Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kujtuar ngjarjet e 21 Janarit, duke i krahasuar ato me protestat e fundit në Tiranë.
Në një komunikim në Facebook, Rama tha se gjatë protestave të fundit janë sulmuar policët dhe janë dëmtuar objekte, ndërsa kujtoi se më 21 Janar u vranë me armë zjarri katër protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Ai tha se protestuesit e dhunshëm duhet të mbajnë përgjegjësi, por theksoi se ata janë qytetarë të këtij vendi.
“Dëmet nuk janë të vogla, por ndreqen”, u shpreh Rama.
Kryeministri kritikoi hedhjen e gurëve dhe molotovëve ndaj policisë, si dhe sulmet ndaj bankave dhe bankomatëve. Sipas tij, dhuna nuk ka lidhje me rininë shqiptare dhe as me studentët.
Rama tha gjithashtu se, sipas tij, protestat e dhunshme po sfidojnë jo vetëm qeverinë, por edhe synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
