Kompania “Termokos” ka njoftuar se furnizimi me ngrohje do të ndërpritet përkohësisht në orët e para të së shtunës, për shkak të ndaljes së kontrolluar të njësisë B2 të TC Kosova B.
Sipas njoftimit, kjo ndalesë do të pamundësojë furnizimin me avull, i cili përdoret për prodhimin e energjisë ngrohëse.
Gjatë kësaj periudhe, ngrohja do të vazhdojë vetëm për klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes ngrohtores që mbulon nevojat e tyre.
“Termokos” ka bërë të ditur se ndërprerja do të shfrytëzohet për të adresuar vështirësitë e paraqitura në qarkullimin e ngrohjes gjatë ditëve të para të këtij sezoni ngrohës.
