Shkruan Artë Ramiqi
Në vitin 2003, një takim në një zyrë policore në Gjilan bashkoi dy njerëz nga vende të ndryshme. Ai ishte polic gjerman, ajo police shqiptare. Askush nuk mund ta dinte se ajo njohje do të shndërrohej në një dashuri që do të zgjaste më shumë se dy dekada, do të krijonte një familje mes dy kulturave dhe do ta bënte Kosovën atdheun e dytë të një njeriu që, në fund të jetës, do të dëshironte të prehej pikërisht në këtë tokë.
Ka histori që nuk mund të tregohen vetëm përmes datave dhe ngjarjeve. Ato kërkojnë të ndalesh te njerëzit, te zgjedhjet që kanë bërë, te ëndrrat që kanë ndërtuar dhe te gjurmët që kanë lënë te njëri-tjetri. E tillë është historia e Ganimete Pirevës dhe bashkëshortit të saj, Thorsten Beck, të cilin miqtë e njihnin me nofkën “Sharky”.
Gjithçka nisi në Kosovë, në vitin 2003.
Në atë kohë,Thorsten Beck ishte pjesë e misionit policor gjerman në Kosovë dhe punonte në Shtërpcë. Për shkak të detyrave të tij, ai vinte herë pas here në Gjilan, ku duhej të dorëzonte dokumentacion, pasi Shtërpca në çështje të caktuara administrative ishte e lidhur me Komunën e Gjilanit.
Në atë periudhë, Ganimetja punonte në zyrën e bazës së të dhënave për rajonin. Pikërisht aty u panë dhe u njohën për herë të parë.
Ishte një takim i zakonshëm në dukje, në një ambient pune ku secili kishte përgjegjësitë e veta. Por disa takime, pa e ditur në fillim, bëhen pika nga të cilat ndryshon i gjithë rrugëtimi i jetës.
Pas një kohe, Thorsteni u transferua për të punuar në zyrën e tyre, pasi shefi i mëparshëm kishte përfunduar misionin. Ai mori detyrën e shefit të bazës së të dhënave rajonale në Gjilan. Kështu, kontakti mes tyre u bë më i shpeshtë dhe njohja profesionale nisi të merrte një kuptim tjetër.
Mes dy kolegëve, që fillimisht i kishte bashkuar puna, lindi një ndjenjë që do të ndryshonte jetën e të dyve.
Dashuria e tyre nuk u ndërtua mbi ngjashmërinë e prejardhjes, por mbi atë që zbuluan te njëri-tjetri.
Ajo ishte shqiptare, ai gjerman. Vinin nga dy realitete të ndryshme, por kjo nuk u bë pengesë për t’u afruar. Përkundrazi,me kalimin e kohës,lidhja e tyre u bë aq e fortë,saqë vendimi për ta kaluar jetën bashkë erdhi si vazhdimësi e natyrshme e dashurisë që kishin krijuar.
Në fund të vitit 2005,pas përfundimit të misionit të Thorstenit në Kosovë,Ganimetja u zhvendos në Gjermani për të qenë pranë tij.
Në shkurt të vitit 2006, ata u martuan në Gjermani. Ishte një ceremoni e vogël,larg asaj dasme që ndoshta do ta kishin dëshiruar, pasi familjarët e Ganimetes nuk mundën të merrnin pjesë për shkak të pengesave me vizat. Megjithatë,mungesa e një dasme të madhe nuk e zbehu rëndësinë e asaj dite. Për ta,më e rëndësishme ishte se po nisnin zyrtarisht jetën e përbashkët.
Një vit më vonë, në vitin 2007, në jetën e tyre erdhi vajza, Aurela.
Familja u bë bota e tyre e përbashkët. Ganimetja e kujton Thorstenin si një bashkëshort jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe baba të përkushtuar. Në rrëfimin e saj, ai shfaqet si një njeri që dinte të dashuronte jo vetëm me fjalë, por edhe me mënyrën se si kujdesej për njerëzit e tij.
Ajo e përshkruan jetën e tyre të lumtur dhe lidhjen mes tyre si një dashuri të rrallë, që nuk humbi intensitetin me kalimin e viteve.
Aurela u rrit mes dy kulturave, duke ruajtur një lidhje të veçantë me traditat dhe kulturën shqiptare. Rrënjët e nënës së saj, gjuha, zakonet dhe lidhja me familjen në Kosovë mbetën pjesë e rëndësishme e identitetit të saj. Në këtë familje, Gjermania ishte vendi ku ndërtonin përditshmërinë, ndërsa Kosova mbetej një pjesë e pazëvendësueshme e jetës së tyre.
Ndërkohë, edhe rrugëtimi profesional i Thorstenit vazhdoi të zhvillohej.
Pas përfundimit të misionit në Kosovë, ai vazhdoi karrierën në Gjermani, ku për një periudhë punoi në Landeskriminalamt (LKA), institucionin shtetëror të policisë kriminale. Më pas u emërua Polizeihauptkommissar, gradë që në sistemin policor gjerman përkthehet si Komisar i Lartë i Policisë.
Përkushtimi i tij profesional nuk u kufizua vetëm në fushën policore. Thorsteni kishte studiuar edhe të drejtën administrative dhe kishte ndjekur disa shkollime në fushën e teknologjisë së informacionit (IT). Më vonë nisi të punonte edhe në sektorin e IT-së për policinë, duke e zgjeruar kështu përvojën e tij profesionale në një fushë gjithnjë e më të rëndësishme për institucionet e sigurisë.
Por, krahas përgjegjësive profesionale, kishte edhe një pjesë të jetës së tij që nuk e kishte harruar kurrë: Kosovën.
Vitet kalonin, ndërsa lidhja e tij me vendin ku kishte takuar Ganimeten bëhej gjithnjë e më e fortë. Pas martesës, Kosova ishte kthyer në vendlindjen e tij të dytë. Çdo pushim ishte një mundësi për t’u kthyer, për të takuar familjen, për të qëndruar me miqtë dhe për të kaluar kohë në vendin që tashmë e ndiente të vetin.
Madje, edhe kur Ganimetja nuk mund të udhëtonte, Thorsteni vinte vetë në Kosovë.
Ai kishte krijuar një rreth të gjerë shoqëror shqiptar. Familjen e bashkëshortes e konsideronte familjen e tij të dytë, ndërsa miqtë që kishte fituar këtu ishin bërë pjesë e rëndësishme e jetës së tij. Sipas Ganimetes, ai kishte ndihmuar shumë njerëz në Kosovë, veçanërisht anëtarë të familjes së saj. Ishte i dashur, i respektuar dhe ndihej mirë mes njerëzve.
Për të, Kosova nuk ishte më një vend ku kishte shërbyer dikur. Ishte vendi ku dëshironte të kthehej për të jetuar.
Kjo dashuri mori formë edhe në një vendim tjetër të rëndësishëm: Ganimetja dhe Thorsteni blenë një shtëpi në Kosovë.
Ajo shtëpi përfaqësonte shumë më tepër sesa një pronë. Ishte projekti i tyre për të ardhmen, vendi ku kishin planifikuar të nisnin një kapitull të ri të jetës pas pensionimit. Thorsteni mezi e priste atë ditë. Shpesh shprehej se dëshironte të dilte më herët në pension, vetëm që të mund të kthehej në Kosovë.
I kishin mbetur edhe pesë vjet deri në pensionim.Përgaditjet kishin filluar. Shtëpia po rinovohej, gjërat po rregulloheshin dhe ata po afroheshin gradualisht me jetën që e kishin ëndërruar për kaq gjatë. Plani ishte i qartë: Ganimetja do ta ndërpriste punën dhe të dy do të vendoseshin në Kosovë, për t’i kaluar së bashku vitet e mbetura të jetës.
Ishte një e ardhme që e kishin ndërtuar me durim, pas shumë vitesh pune dhe përgjegjësish. Një jetë më e qetë, larg angazhimeve profesionale, pranë familjes dhe miqve që i donin.
Por ajo e ardhme nuk arriti të bëhej realitet.
Një mëngjes që i ndërpreu të gjitha planet
Mëngjesi i 26 shtatorit 2026 ishte dita që e ndau jetën e Ganimetes në dy pjesë: para dhe pas humbjes së Thorstenit.
Atë mëngjes, ai pësoi një arrest kardiak. U ndërmorën përpjekje për ta rikthyer në jetë, por gjendja e tij ishte kritike. Sipas rrëfimit të Ganimetes, megjithëse mjekët arritën përkohësisht ta rikthenin pranë jetës, truri i tij kishte pësuar dëmtime të pakthyeshme. Më 28 shtator, mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Njeriu që kishte qenë pjesë e çdo plani të saj, që kishte ndarë me të gëzimet, sfidat dhe ëndrrat, nuk ishte më.
Për Ganimeten, humbja ishte e papërshkrueshme. Ajo nuk humbi vetëm bashkëshortin, por edhe njeriun me të cilin kishte menduar çdo ditë të së ardhmes. Pensionimi, shtëpia në Kosovë,udhëtimet dhe planet e vogla të përditshmërisë, gjithçka që dikur kishte kuptim sepse do ta përjetonin bashkë, papritur mbeti pa njeriun me të cilin ishte ndërtuar.
Në letrën e saj, Ganimetja e përshkruan Thorstenin me fjalë që flasin më shumë se një biografi e gjatë.
Ajo thotë se pranë tij kishte qenë gruaja më e lumtur në botë. E kujton si njeriun më të urtë, më të mençur, më të durueshëm, më të dashur dhe më të respektueshëm që kishte njohur. Ishte bashkëshorti që kujdesej për të dhe babai që i qëndronte pranë vajzës së tyre.
Dhe ndonëse kanë kaluar ditët e para të zisë, ajo thotë se dhimbja nuk po zvogëlohet. Përkundrazi, mungesa e tij bëhet gjithnjë e më e pranishme.
Edhe Aurela dhe familja e ndiejnë boshllëkun e lënë nga një njeri që ishte pjesë e pandashme e jetës së tyre.
Se sa shumë ishte dashur Thorsteni, u pa edhe në ditët e vështira që pasuan. Ganimetja tregon se ishte befasuar nga numri i madh i njerëzve që erdhën për ngushëllime. Miq, të afërm dhe njerëz që e kishin njohur gjatë viteve u mblodhën për ta nderuar. Për të, kjo ishte edhe një dëshmi se sa shumë zemra kishte prekur bashkëshorti i saj gjatë jetës.
Kthimi i fundit në vendin që e quante të vetin
Mes gjithë kësaj dhimbjeje, ekzistonte një dëshirë e Thorstenit që Ganimetja e dinte mirë. Ai kishte shprehur vazhdimisht se pas vdekjes dëshironte të varrosej në Kosovë.
Nuk ishte një dëshirë e lindur në ditët e fundit. Ishte diçka që ai e kishte thënë prej kohësh, si njeri që e kishte lidhur të ardhmen dhe edhe prehjen e fundit me këtë vend.
Më 1 tetor 2026, Thorsteni u varros në Gjilan.Gruaja që dikur e kishte takuar në një zyrë pune, që kishte zgjedhur të shkonte pas tij në Gjermani dhe që kishte ndërtuar me të një jetë të tërë, tani e kishte sjellë në Kosovë për udhëtimin e fundit.
Ai u përcoll me traditat shqiptare dhe ritet fetare, ashtu siç ishte dëshira e tij për t’u prehur në këtë tokë.
Është një kthim që vështirë mund të përshkruhet pa u ndalur te dhimbja e Ganimetes. Këtë herë, ajo erdhi bashk me dashurin e saj të jetës, në vendin ku ai kishte dashur të jetonte, por jo për ta nisur jetën e tyre të re…
Kosova është vendi ku nisi dashuria e tyre, ku u takuan për herë të parë, ku ai krijoi miqësi dhe ku e imagjinoi pleqërinë. Është vendi që e deshi aq shumë, saqë dëshirën për t’u prehur në paqen e përjetshëme,ia kishte shprehur bashkëshortes shumë kohë më parë.
Thorsteni nuk arriti t’i kalonte vitet e pensionimit në shtëpinë që po e rinovonin. Nuk arriti t’i jetonte të gjitha ditët që i kishin planifikuar bashkë. Por dëshira e tij e fundit u bë realitet.
Një dashuri që mbetet në kujtesë
Sot, pas humbjes, Ganimetja dhe Aurela mbajnë me vete kujtimet e një njeriu që la gjurmë të thella në jetën e tyre. Për Ganimeten, ai do të mbetet bashkëshorti me të cilin përjetoi një dashuri që e përshkruan si magjike. Për Aurelën, babai që ishte pjesë e rritjes dhe formimit të saj. Për familjen dhe miqtë në Kosovë, njeriu që, ndonëse kishte lindur e ndërtuar karrierën në Gjermani, kishte ditur të bëhej pjesë e tyre.
Historia e tyre është edhe një dëshmi e bukur e mënyrës se si dashuria mund të kapërcejë kufijtë dhe të bashkojë dy kultura pa e humbur asnjërën. Një police shqiptare dhe një polic gjerman u takuan në Kosovë, ndërtuan familje në Gjermani dhe ruajtën një lidhje të pandërprerë me vendin ku gjithçka kishte nisur.
Ndoshta është e pamundur të gjendet një fjali që mund ta ngushëllojë një grua që humb njeriun me të cilin kishte planifikuar të plakej. Por rrëfimi i Ganimetes na kujton se dashuria nuk matet vetëm me kohën që dy njerëz kanë pranë njëri-tjetrit. Ajo matet edhe me kujdesin, përkushtimin, besnikërinë dhe gjurmët që lihen në jetën e tjetrit.
Në vitin 2003, Thorsten Beck erdhi në Kosovë për të kryer një mision policor. Pa e ditur, këtu nisi misioni më i rëndësishëm i jetës së tij: të donte Ganimeten, të ndërtonte një familje dhe ta bënte Kosovën atdhe të dytë.
Ai dikur erdhi në Gjilan me dokumente pune. Vite më vonë, u kthye në të njëjtin qytet për t’u prehur përgjithmonë.
Kësaj radhe nuk kishte më dokumente, detyra apo plane për të ardhmen. Kishte vetëm një dëshirë të përmbushur dhe një dashuri që vazhdon të jetojë në zemrat e atyre që e deshën.
Ai e gjeti dashurinë në Kosovë, jetoi me të në Gjermani dhe Kosovën e mori me vete deri në fund.
