Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë ka dhënë sqarime lidhur me vdekjen e një pacienteje, gjendja shëndetësore e së cilës, sipas raportit të Policisë, ishte përkeqësuar pas trajtimit në këtë institucion.
Përmes një njoftimi në Facebook, QKMF-ja ka bërë të ditur se pacientja fillimisht ishte trajtuar nga mjeku infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion. Pas marrjes së terapisë, dyshohet se pacientja kishte shfaqur reaksion alergjik.
Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ajo ishte nisur me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal në Pejë, e shoqëruar nga mjeku dhe infermieri.
Sipas QKMF-së, për të përshpejtuar transportin, për shkak të ngarkesës në trafik, ishin angazhuar edhe njësitë policore të Klinës.
“Gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë pacientja është intubuar. Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
QKMF-ja ka bërë të ditur se rasti është nën hetim nga institucionet kompetente dhe se do të bashkëpunojë plotësisht me organet përkatëse, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar.
Duke shprehur respekt për ndjeshmërinë e rastit, dinjitetin e pacientes dhe privatësinë e familjes, QKMF-ja ka njoftuar se nuk do të japë komente të tjera derisa të përfundojë hetimi.
Institucioni ka theksuar se do ta informojë publikun për çdo zhvillim të rëndësishëm lidhur me këtë rast.
