Policia Federale gjermane ka arrestuar një shtetas shqiptar 31-vjeçar në qytetin e Aachenit, pasi dyshohet se ishte përfshirë në një tentim vjedhjeje në një farmaci në stacionin kryesor të trenit. Gjatë verifikimeve, autoritetet zbuluan se ai kishte përdorur shtatë identitete të ndryshme dhe ishte kërkuar në dhjetë raste hetimore.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 15 nëntor, rreth orës 11:00, kur policia u njoftua për një tentim vjedhjeje në një farmaci në stacionin kryesor të trenit në Aachen, në landin e Nordrhein-Westfalenit.
Sipas raportimit të mediave gjermane, në rast dyshohet se ishin përfshirë një grua 29-vjeçare nga Bullgaria dhe një burrë shqiptar. Ata dyshohet se kishin tentuar të merrnin mallra në vlerë prej rreth 28 eurosh.
Burri ishte larguar para arritjes së policisë, por zyrtarët e identifikuan pak më vonë në një garazh parkimi në afërsi. Ai tentoi të largohej me vrap, por u kap nga policia. Gjatë arrestimit, sipas autoriteteve, ai kundërshtoi fizikisht zyrtarët, të cilët e neutralizuan dhe e prangosën.
Shtatë identitete dhe dhjetë raste hetimore
Gjatë verifikimit në stacionin policor, autoritetet konstatuan se 31-vjeçari kishte përdorur shtatë identitete të ndryshme dhe rezultonte i kërkuar në dhjetë raste hetimore nga Prokuroria Publike në Bremen.
Sipas raportimit, hetimet lidhen me dyshime për vjedhje, grabitje, kërcënime, sulm të rëndë dhe sulm seksual.
Po ashtu, bëhet e ditur se shqiptari ishte dëbuar nga Gjermania në vitin 2023 dhe kishte një ndalim pesëvjeçar të hyrjes në këtë shtet.
Gjatë kontrollit personal, policia i gjeti edhe një thikë në çantën e belit. Për këtë arsye, ndaj tij u shtua edhe dyshimi për vjedhje me armë.
I dyshuari është dërguar në paraburgim, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se do të mbahet në paraburgim.
Ndërkohë, gruaja 29-vjeçare nga Bullgaria është liruar pasi ndaj saj është paraqitur kallëzim.
Burimet: News.de, raportimi mbi njoftimin e Policisë Federale gjermane në Aachen; Albinfo.ch, transmetimi i lajmit.
