Një udhëheqës i Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila njoftoi se ndalimi është kryer më 16 nëntor 2026, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
I dyshuari, me inicialet A.B., dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ka krijuar dosje fiktive dhe ka vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje”.
Sipas Prokurorisë, këto veprime dyshohet se janë kryer me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe persona të tjerë.
Në kuadër të këtij rasti, një shtetasi të Serbisë, me inicialet M.B., i cili aktualisht ndodhet në arrati, dyshohet se i është mundësuar regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë.
Bëhet fjalë për një banesë me sipërfaqe prej 55.89 metrash katrorë, e cila ndodhet në zonën kadastrale të Matiçanit.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Rasti po hetohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
