Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, gjatë seancës së sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, ka publikuar një audio-incizim të kryeministrit Albin Kurti, në të cilin ai premtonte uljen e çmimit të energjisë elektrike.
Në incizimin e lëshuar nga Bajrami, Kurti dëgjohet duke thënë: “Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi”.
Pas publikimit të incizimit, Bajrami ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke kërkuar nga ajo që të paraqesë plane dhe masa konkrete për të parandaluar rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike.
“Po na duhet herë pas here me i sjellë këto fakte, edhe pse qytetarët e Republikës e dinë, po siç po duket ju, kolegë deputetë, i keni harruar”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka kërkuar që ministrja Rizvanolli të japë llogari për punën dhe rezultatet gjatë mandatit të saj, në vend që të fokusohet në krahasimet me qeveritë e kaluara.
“Kishte qenë mirë tash të na i tregoni planet, si do ta parandaloni ngritjen e energjisë elektrike, e cila po paralajmërohet prej zyrtarëve të ZRRE-së në fillim të vitit tjetër”, ka thënë Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka theksuar se Rizvanolli ka më shumë se pesë vjet në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe se, sipas saj, qytetarët presin rezultate konkrete për sektorin e energjisë.
