BE: Zgjedhjet lokale në Kosovë më 12 tetor ishin transparente, presim certifikim të shpejtë të rezultateve

Para 1 vit

Bashkimi Evropian ka përshëndetur zhvillimin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, që u mbajt më 12 tetor, duke vlerësuar procesin si paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës.

Në një përgjigje për Telegrafin, Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, theksoi se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve dhe mbulimi mediatik i lirë kanë kontribuar në një proces transparent.

BE-ja bëri thirrje për certifikim të shpejtë dhe zbatim të rezultateve për kryetarët e zgjedhur në raundin e parë, si dhe për një proces të qetë dhe të drejtë për balotazhin e planifikuar më 9 nëntor.

Ndërkaq, në zgjedhjet e 12 tetorit kanë votuar rreth 39.58% e qytetarëve me të drejtë vote. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 21 komuna janë zgjedhur kryetarët në raundin e parë, ndërsa në 17 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, do të mbahet raundi i dytë.

BE nuk dha koment specifik mbi ndikimin e mundshëm të Serbisë në procesin zgjedhor, ndërkohë që kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, falënderoi presidentin Aleksandar Vuçiq për mbështetjen në zgjedhjet e nëntorit.