Korça regjistron bilancin më negativ, ndërsa Tirana kryeson me 1.380 lindje më shumë se vdekje. Në vend lindjet kanë rënë me 10,5% krahasuar me një vit më parë.
Shqipëria ka regjistruar bilanc natyror pozitiv gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, me 742 lindje më shumë se vdekje. Megjithatë, pas shifrave pozitive në nivel kombëtar fshihet një realitet më shqetësues në qarqe, ku 7 nga 12 prej tyre vijojnë të kenë bilanc negativ natyror.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë periudhës korrik-shtator 2026 në vend u regjistruan 5.787 lindje dhe 5.045 vdekje. Por, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, lindjet kanë pësuar rënie me 10,5%, ndërsa vdekjet janë rritur me 0,4%.
Tirana mban vendin e parë për numrin e lindjeve, me 2.708 foshnje të ardhura në jetë, por edhe për numrin e vdekjeve, me 1.328 raste. Pavarësisht kësaj, kryeqyteti regjistron bilancin më të lartë pozitiv, me 1.380 lindje më shumë se vdekje.
Në kahun tjetër, Korça shënon situatën më negative demografike, me 220 vdekje më shumë se lindje. Ndërsa Gjirokastra regjistron numrin më të ulët të lindjeve në shkallë vendi, me vetëm 66 foshnje gjatë tremujorit.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se rënia e lindjeve është një fenomen i përhapur në pjesën më të madhe të vendit. Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025, 10 qarqe kanë regjistruar më pak lindje. Rënia më e fortë është shënuar në Fier, me 20,1%, ndërsa Dibra është i vetmi qark me rritjen më të lartë, prej 3,9%.
Sa u përket vdekjeve, ato janë rritur në 7 qarqe. Kukësi kryeson me rritjen më të madhe, prej 15,7%, ndërsa Dibra ka regjistruar uljen më të fortë, me 17,8%.
Emigracioni, rënia e numrit të lindjeve dhe ndryshimet në strukturën e popullsisë mbeten ndër faktorët që ndikojnë në zhvillimet demografike të vendit. Këto prirje reflektohen edhe në diferencat e theksuara mes qarqeve.
Në përpjekje për të nxitur lindshmërinë, qeveria ka rishikuar skemën e bonusit të bebes, duke ndryshuar mënyrën e mbështetjes financiare për familjet. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ndryshimet do të ndikojnë në frenimin e rënies së lindjeve dhe përmirësimin e situatës demografike në vend.
