Britania e Madhe ishte e papërgatitur për përballjen me pandeminë COVID-19, ndërsa mungesa e testimeve dhe masave të hershme bëri që virusi të përhapej pothuajse pa kontroll gjatë tre muajve të parë të krizës.
Këto janë gjetjet e një raporti zyrtar të hetimit për pandeminë, të udhëhequr nga baronesha Heather Hallett.
Raporti prej 245 faqesh thekson se qeveria britanike nuk kishte kapacitete të mjaftueshme për testimin, gjurmimin e kontakteve dhe izolimin e personave të infektuar, ndonëse shkencëtarët kishin zhvilluar një test efektiv që në mesin e janarit 2020.
“COVID-19 u lejua të përhapej me shpejtësi vdekjeprurëse në të gjithë vendin”, thuhet në raport.
Hetimi kritikon gjithashtu mungesën e kontrolleve kufitare dhe lejimin e udhëtimeve ndërkombëtare pothuajse pa kufizime gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2020. Sipas raportit, vendosja e hershme e karantinës 14-ditore për udhëtarët që hynin në Britani mund të kishte ndikuar ndjeshëm në ngadalësimin e përhapjes së virusit.
Në raport përmenden edhe vende si Singapori, Australia dhe Gjermania, të cilat ishin më të përgatitura dhe regjistruan norma dukshëm më të ulëta të vdekshmërisë gjatë gjashtë muajve të parë të pandemisë.
Raporti vë në pah edhe mungesën e mbështetjes financiare dhe praktike për qytetarët që duhej të izoloheshin, duke bërë që shumë prej tyre të ndiheshin të braktisur.
Megjithatë, hetimi pranon se qeveria britanike më vonë investoi burime të konsiderueshme dhe krijoi një sistem më efektiv të testimit dhe gjurmimit.
Ky është raporti i shtatë nga gjithsej dhjetë pjesët e hetimit zyrtar britanik për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
