Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin në rastin e pengimit të drejtësisë, ku përveç ish-presidentit Hashim Thaçi, të akuzuar ishin edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Hajredin Kuçi dhe Isni Kilaj.
Sipas vendimit të shpallur të martën nga gjykatësi Christopher Gosnell, Hashim Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, ndërsa Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë dënuar me nga 12 muaj burgim.
Megjithatë, Smakaj dhe Fazliu do të lirohen pas përfundimit të seancës, pasi koha që kanë kaluar në paraburgim ua mbulon dënimin e shqiptuar.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi Gosnell iu drejtua Smakajt me fjalët: “Meqenëse keni kaluar më shumë muaj në paraburgim, ju liroheni”.
Ndërkaq, ish-ministri Hajredin Kuçi është dënuar me një muaj burgim me kusht. Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.
Në anën tjetër, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për akuzat që rëndonin ndaj tij. Gjykatësi ka urdhëruar lirimin e tij pas përfundimit të seancës.
Sa i përket Thaçit, ai është shpallur fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes veprimit të përbashkët, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Aktgjykimi ndaj pesë të akuzuarve është shpallur më 17 nëntor nga Gjykata Speciale në Hagë.
