Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se sonte është ndërprerë energjia elektrike në Fakultetin Ekonomik, në Prishtinë, derisa ajo ishte duke mbajtur provim me studentët.
Bajrami ka treguar se ndërprerja e energjisë ka ndodhur rreth orës 17:10, në kohën kur studentët ishin duke zhvilluar testin.
Ajo ka bërë të ditur se paraprakisht ua kishte marrë telefonat studentëve, ndërsa pas disa minutash pritjeje, ata gjetën një mënyrë për të vazhduar provimin, duke përdorur dritat e telefonave për ndriçim.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka publikuar fotografi nga salla e provimit, duke ironizuar me gjendjen energjetike në vend.
“Jo, fotografia nuk është e pasluftës. Është bërë para një ore me 18 nëntor 2026, në ‘Kosovën e progresit të paparë’! Përtej humorit, Qeveria duhet të vijë urgjentisht në Kuvend me një plan konkret për kapacitete të reja gjeneruese”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka theksuar se prodhimi vendor i energjisë është zgjidhja për të shmangur krizën energjetike.
“Pas gati gjashtë vjetësh të humbura, nëse nuk veprojmë tash, as qytetarët e as Qeveria shumë shpejt nuk do të mund t’i përballojnë faturat e rrymës e reduktimet do na bëhen përditshmëri”, ka shkruar Bajrami.
