Gjykata Supreme shfuqizon në tërësi Rregulloren e KQZ-së për sistematizimin e vendeve të punës

featured
0
Shpërndaj

Shpërndaje këtë postim

ose kopjo linkun

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e pesë paditësve kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke shfuqizuar në tërësi Rregulloren e Brendshme Nr. 01/2026 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në KQZ.

Me aktgjykimin e saj, Gjykata ka konstatuar paligjshmërinë e kësaj rregulloreje, përfshirë edhe Shtojcën I – Organogramin e Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në shqyrtimin e rastit, Gjykata ka vlerësuar procesin e riklasifikimit të pozitave të punës, duke theksuar se ai duhet të bazohet në kritere objektive, parimin e barazisë dhe arsyetime të qarta për vendimet që kanë pasoja juridike për zyrtarët publikë.

Sipas Gjykatës, ndonëse KQZ-ja ka kompetencë për të ndryshuar organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, kjo kompetencë duhet të ushtrohet duke u mbështetur në analiza funksionale dhe kritere të qarta.

Gjykata ka konstatuar se KQZ-ja nuk ka paraqitur analizë funksionale që do të arsyetonte përfshirjen e vetëm tetë pozitave të punës në procesin e riklasifikimit, ndërsa pozitat e paditësve ishin përjashtuar. Po ashtu, nuk janë ofruar arsye konkrete për dallimet në natyrën e detyrave, nivelin e përgjegjësive dhe kompetencat e pozitave të përfshira dhe atyre të përjashtuara.

Sipas aktgjykimit, zbatimi i rregullores kishte mundësuar ndryshimin e koeficienteve të pagave për zyrtarët që ushtronin tetë pozitat e përfshira në riklasifikim, ndërsa pozitat e paditësve kishin mbetur jashtë këtij procesi, duke rezultuar në trajtim të ndryshëm pa arsye objektive dhe të arsyeshme.

Gjykata ka theksuar se parimi i barazisë kërkon trajtim të barabartë për subjektet që ndodhen në situata të njëjta ose të krahasueshme, përveç rasteve kur dallimet mbështeten në kritere të qarta, objektive dhe të verifikueshme.

Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata i është referuar edhe Aktgjykimit P.A.nr. 24/2026 të 17 shtatorit 2026, me të cilin kishte shfuqizuar nenin 7 të Rregullores Nr. 01/2026.

Duke vlerësuar ndërlidhjen e pandashme të dispozitave të kësaj rregulloreje me nenin e shfuqizuar, Gjykata ka konstatuar se pjesa e mbetur nuk ka përmbajtje normative dhe efekt juridik të pavarur që do të mundësonte zbatimin e saj si akt i veçantë.

Për këtë arsye, Gjykata Supreme ka vendosur shfuqizimin e plotë të Rregullores Nr. 01/2026, përfshirë edhe organogramin e Sekretariatit të KQZ-së, me qëllim të ruajtjes së koherencës së rendit juridik dhe sigurisë juridike.

Linku i aktgjykimit: https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__31_26_SQ.pdf

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karaktere

Hyr

Hyni ose krijoni një llogari tani për të përfituar nga privilegjet e Gazetabruto.com, dhe plotësisht falas!

Hyr
Bisedo me KAI

Asistenti i inteligjencës artificiale
Sistemi i bisedës aktualisht nuk është aktiv. Ju lutemi provoni përsëri më vonë.