Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas interpretimit të një kënge nacionaliste serbe gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e cilësuar ngjarjen si thellësisht shqetësuese.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka theksuar se një aktivitet që synon afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian nuk duhet të përcjellë mesazhe që bien ndesh me paqen, fqinjësinë e mirë dhe respektimin e sovranitetit të shteteve.
Ajo ka kërkuar sqarim nga Komisioni Evropian lidhur me përzgjedhjen e këngës, e cila, sipas saj, promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Më tej, kryetarja e Kuvendit ka theksuar se institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin përmes aktiviteteve të tyre.
“Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme”, ka përfunduar Haxhiu reagimin e saj.
