Shqipëria e fundit në Ballkan për të ardhurat që përfitojnë më të varfrit, vetëm 3.6% e totalit shkon te 20% e popullsisë

featured
0
Shpërndaj

Shpërndaje këtë postim

ose kopjo linkun

Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor për pjesën e të ardhurave që përfitojnë 20% e qytetarëve me të ardhurat më të ulëta. Sipas të dhënave krahasuese për vitin 2025, të publikuara nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw), kjo kategori përfiton vetëm 3.6% të të ardhurave totale të disponueshme pas taksave dhe transfertave sociale.

Të dhënat tregojnë një diferencë të dukshme mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Në Kosovë, 20% e popullsisë me të ardhurat më të ulëta përfiton 6.6% të totalit të të ardhurave, ndërsa në Malin e Zi kjo peshë arrin në 4.4%. Në Bosnjë-Hercegovinë është 4.3%, në Serbi 4.1% dhe në Maqedoninë e Veriut 4%.

Pra, për çdo 100 lekë të ardhura të disponueshme që siguron e gjithë popullsia në Shqipëri, vetëm 3.6 lekë shkojnë për një të pestën e individëve me të ardhurat më të ulëta, ndërsa pjesa tjetër prej 96.4 lekësh përfitohet nga 80% e mbetur e popullsisë.

Diferenca me Kosovën është edhe më e theksuar. Pesha e të ardhurave që përfiton grupi më i varfër atje është rreth 1.8 herë më e lartë se në Shqipëri.

Ky tregues mat pjesën e të ardhurave totale të disponueshme që përfiton 20% e popullsisë me të ardhurat më të ulëta, pasi në llogaritje përfshihen taksat dhe transfertat sociale. Sa më e ulët të jetë kjo përqindje, aq më e vogël është pjesa e të ardhurave që shkon te shtresa me të ardhura më të pakta.

Pesha prej vetëm 3.6% evidenton pozitën e dobët të kësaj kategorie në shpërndarjen e të ardhurave në vend dhe ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e mekanizmave të rishpërndarjes, përfshirë politikat fiskale dhe mbështetjen sociale.

Një shpërndarje më e pabarabartë e të ardhurave mund ta bëjë këtë kategori më të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve dhe kostove të jetesës, veçanërisht për ushqimet, strehimin dhe shërbimet bazë, duke qenë se familjet me të ardhura të ulëta kanë më pak mundësi financiare për të përballuar shpenzimet e papritura.

Megjithatë, ky tregues nuk mat drejtpërdrejt nivelin e varfërisë apo të ardhurat konkrete të familjeve. Për të pasur një panoramë të plotë të varfërisë dhe mirëqenies ekonomike, duhen analizuar edhe të ardhurat mesatare, kostoja e jetesës dhe përqindja e popullsisë që jeton nën pragun e varfërisë.

Shifrat e vitit 2025 tregojnë se Shqipëria ka një shpërndarje më të vogël të të ardhurave në favor të 20% të popullsisë më të varfër krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor./Monitor

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karaktere

Hyr

Hyni ose krijoni një llogari tani për të përfituar nga privilegjet e Gazetabruto.com, dhe plotësisht falas!

Hyr