Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Dublin, në margjinat e Samitit të nëntë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Gjatë takimit, temë diskutimi ishte bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të KFOR-it, zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kurti përmes një postimi, ku ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it është i mirë, por ka hapësirë për zgjerimin e mëtejshëm të tij.
“Biseduam për bashkëpunimin e mirë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it, dhe mundësitë konkrete të zgjerimit dhe thellimit të ndërveprimit, sikurse për zhvillimet aktuale dhe për situatën e sigurisë”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka ritheksuar gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një nga prioritetet strategjike të vendit.
Sipas tij, integrimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike do të kontribuonte në forcimin e paqes dhe sigurisë afatgjatë, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në gjithë Evropën.
Kurti ka vlerësuar rëndësinë e pranisë dhe angazhimit të NATO-s në rajon, veçanërisht në përballje me sfidat e sigurisë dhe ndikimet e aktorëve të jashtëm.
Takimi me Mark Rutten vjen në kuadër të përpjekjeve të Kosovës për forcimin e partneritetit me NATO-n dhe avancimin e synimit strategjik për anëtarësim në Aleancë.
