Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Lajmin e ka bërë të ditur Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka treguar se gjatë takimit janë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e sigurisë dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë.
Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Kosovës, duke përmendur pritjen e mijëra refugjatëve kosovarë gjatë vitit 1999, pjesëmarrjen në intervenimin e NATO-s, kontributin në rindërtimin e vendit dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ai ka vlerësuar gjithashtu përkrahjen e Kanadasë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në postimin e tij, Kurti ka përmendur edhe pjesëmarrjen e një delegacioni qeveritar të Kosovës në Konventën e Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC), e mbajtur në Toronto në mars të këtij viti.
Kryeministri kosovar e ka cilësuar Kanadanë, si anëtare të NATO-s dhe G7-s, një mike dhe partnere të rëndësishme të Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe promovimit të vlerave të përbashkëta.
