Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar masa ndaj personave që sulmuan degët e bankave gjatë protestave, duke thënë se autoritetet do t’i identifikojnë edhe ata që mbajnë kapuç.
Në një takim me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, Rama pretendoi se sulmet kishin për qëllim krijimin e panikut dhe kaosit në sistemin financiar të vendit.
“Do t’i dallojmë edhe kur janë me kapuç, sepse do t’i ndjekim këmba-këmbës”, deklaroi Rama, duke paralajmëruar gjithashtu krijimin e një regjistri të veçantë për personat që kryejnë akte dhune.
Ai tha se qeveria synon të vendosë masa që mund të përfshijnë përgjegjësinë financiare të familjeve për dëmet e shkaktuara nga të miturit, kufizime në përdorimin e transportit dhe bashkëpunim me vendet e Bashkimit Evropian për kufizimin e udhëtimit të personave të dhunshëm.
Rama kritikoi edhe pedagogët pjesëmarrës në protesta, duke pretenduar se disa prej tyre, para se të jenë pedagogë, janë “flamurtarë partie”. Ai e krahasoi situatën me protestat studentore të vitit 2018, të cilat i cilësoi si shembull të dialogut dhe të ballafaqimit të argumenteve.
