Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vazhduar thirrjen për dialog me protestuesit, duke vendosur këtë herë stola prej guri para godinës së Kryeministrisë.
Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku shihen stolat me mbishkrimin “Dialog”, pas shkatërrimit të karrigeve të vendosura më parë si ftesë për bisedime.
Sipas raportimeve, karriget ishin vendosur në dy raste të mëparshme, por protestuesit i kishin dëmtuar ato, ndërsa kishin vazhduar të kërkonin dorëheqjen e kryeministrit.
Me vendosjen e stolave të gurit, Rama ka përsëritur ftesën e tij për dialog, pavarësisht refuzimit të deritanishëm nga protestuesit.
