Rrjeti i mashtrimit nga Kosova në Norvegji: 85 gra të moshuara u mashtruan për rreth 750 mijë euro

featured
0
Shpërndaj

Shpërndaje këtë postim

ose kopjo linkun

Mbi 20 të rinj, të moshave 18 deri në 24 vjeç, janë nën hetime nga policia norvegjeze, nën dyshimin për përfshirje në një rrjet të organizuar mashtrimi financiar, që dyshohet se vepronte nga Kosova.

Policia norvegjeze po heton një skemë të gjerë mashtrimi financiar në rajonin e Rogalandit, ku deri më tani janë identifikuar 85 viktima, kryesisht gra të moshuara. Sipas autoriteteve, dëmi financiar arrin në rreth tetë milionë korona norvegjeze, apo afërsisht 750 mijë euro.

Prokurori policor i Distriktit Policor Sør-Vest, Lars Ole Berge, ka bërë të ditur se hetimet mund të zbulojnë edhe më shumë raste, pasi dyshohet se numri i viktimave do të kalojë 100.

Shuma më e madhe e përvetësuar nga një viktimë e vetme dyshohet të jetë 853 mijë korona norvegjeze, rreth 80 mijë euro.

Sipas raportimit të transmetuesit publik norvegjez NRK, mashtruesit përdornin metoda të njohura si “smishing” dhe “vishing”, përmes mesazheve SMS dhe telefonatave, duke u paraqitur si punonjës bankash.

Ata kontaktonin kryesisht gra të moshuara dhe i bindnin se llogaritë e tyre bankare ishin në rrezik, duke u ofruar ndihmë për të parandaluar keqpërdorimin e parave.

Telefonatat dhe mesazhet dërgoheshin nga Kosova, por shfaqeshin sikur vinin nga numra norvegjezë.

“Personat që kanë kryer telefonatat kanë qëndruar në Kosovë”, ka deklaruar Berge për NRK.

Mbi 20 të dyshuar, dy persona në paraburgim

Hetimet, të cilat nisën më 18 dhjetor të vitit të kaluar pas një denoncimi nga një grua, kanë çuar deri më tani në identifikimin e më shumë se 20 të dyshuarve.

Sipas policisë, tre persona dyshohet se e drejtonin skemën nga Kosova, ndërsa mbështeteshin nga të rinj të tjerë në jug të Rogalandit dhe në pjesën lindore të Norvegjisë.

Dy nga personat që dyshohet se kishin role udhëheqëse janë aktualisht në paraburgim, ndërsa i treti vazhdon të jetë i lirë jashtë vendit.

Njëri prej tyre u arrestua në aeroportin Gardermoen, gjatë një operacioni policor në fillim të këtij viti. Një tjetër u ekstradua më vonë në Oslo nga jashtë vendit.

Të dyshuarit në Norvegji dyshohet se kishin role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e mashtrimeve, përfshirë edhe përdorimin e të ashtuquajturave “mushka financiare” – persona që pranojnë para në llogaritë e tyre bankare dhe më pas i transferojnë ose ua dorëzojnë personave të tjerë.

Jetë luksoze me paratë e mashtrimit

Sipas hetimeve policore, personat kryesorë të dyshuar kishin shpenzuar shuma të mëdha parash për mallra luksoze dhe vetura sportive.

Policia norvegjeze po punon gjithashtu për gjurmimin dhe rikuperimin e parave të përfituara nga aktiviteti i dyshuar kriminal.

Hetuesit po analizojnë transaksionet përmes shërbimeve të kriptomonedhave, kompanive të basteve dhe institucioneve bankare jashtë Norvegjisë.

Autoritetet thonë se ende mbetet shumë punë për t’u bërë, përfshirë analizimin e provave të sekuestruara, mbledhjen e të dhënave nga institucionet financiare dhe intervistimin e personave të përfshirë.

Policia synon që dy të dyshuarit që ndodhen në paraburgim të qëndrojnë aty deri në fillimin e gjykimit, i cili pritet të mbahet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Në përfundim, prokurori Berge ka përcjellë një mesazh për personat që mund ta shohin këtë veprimtari si mënyrë për të fituar pasuri të shpejtë, duke theksuar se përfitimet e tilla shpesh përfundojnë me pak para dhe shumë probleme.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karaktere

Hyr

Hyni ose krijoni një llogari tani për të përfituar nga privilegjet e Gazetabruto.com, dhe plotësisht falas!

Hyr