Rruga A në Prishtinë hapet javën e ardhshme pas më shumë se tre vjetësh vonesa

featured
0
Shpërndaj

Shpërndaje këtë postim

ose kopjo linkun

Rruga A në Prishtinë pritet të hapet për qarkullim gjatë javës së ardhshme, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e punimeve.

Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Prishtinës, e cila ka njoftuar se projekti është pothuajse i përfunduar.

Drejtoresha e Investimeve Kapitale, Zyhrije Pllana, ka deklaruar për RTK-në se ky investim pritet të lehtësojë qarkullimin e automjeteve, lëvizjen e këmbësorëve dhe të përmirësojë jetën e përditshme të banorëve.

Ajo ka pranuar se gjatë realizimit të projektit janë përballur me sfida, vështirësi dhe bllokada, por ka theksuar se punimet janë drejt përfundimit dhe po realizohen sipas standardeve të parapara.

Ndërkohë, zvarritja e punimeve ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, të cilët ankohen për vështirësitë në qarkullim dhe vonesat e gjata.

Përveç reagimeve të qytetarëve, projekti është shoqëruar edhe me akuza për parregullsi. Nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kanë kërkuar që Prokuroria të hetojë mënyrën e menaxhimit të investimit.

Enver Redenica nga VV ka deklaruar se sipas tij ka pasur keqpërdorime, ndërprerje dhe vazhdim të kontratës pa dhënë shpjegime të mjaftueshme.

Punimet për Rrugën A nisën në vitin 2023 dhe gjatë kësaj periudhe janë përcjellë me vonesa dhe ndërprerje të vazhdueshme.

Projekti synon të krijojë lidhje më funksionale ndërmjet Kalabrisë, lagjes së Spitalit, Matit dhe Prishtinës së Re, duke ofruar alternativa të reja për qarkullimin dhe lehtësuar ngarkesën në rrugët ekzistuese të kryeqytetit.

Tashmë mbetet të shihet nëse Komuna do ta përmbushë afatin e paralajmëruar dhe Rruga A do të hapet për qytetarët javën e ardhshme.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karaktere

Hyr

Hyni ose krijoni një llogari tani për të përfituar nga privilegjet e Gazetabruto.com, dhe plotësisht falas!

Hyr