Prishtinë – Tre investitorë amerikanë kanë shprehur interesim për të investuar në ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit, projekt ky që synon t’i japë fund mungesës së një spitali të përgjithshëm rajonal në Prishtinë.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka bërë të ditur për KosovaPress se Komuna tashmë ka nisur komunikimet me investitorët potencialë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur realizimin e këtij projekti.
Gashi ka theksuar se projekti ka kaluar disa faza përgatitore, përfshirë përfundimin e studimit të fizibilitetit, hartimin e projektit dhe përcaktimin e lokacionit. Ky i fundit është miratuar edhe nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.
Megjithatë, realizimi i projektit ende nuk ka nisur, pasi ai vazhdon të jetë në pritje të miratimit nga niveli qendror, përkatësisht nga institucionet kompetente.
Sipas Gashit, projekti ka mbetur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa Komuna po shqyrton edhe mundësi alternative të financimit, në mënyrë që ndërtimi i spitalit të mos mbetet peng i procedurave institucionale.
Ai ka bërë të ditur se komunikimet me tre investitorët amerikanë po vazhdojnë përmes kabinetit të kryetarit të Kryeqytetit.
“Po shpresojmë se bashkë me investitorët amerikanë së shpejti do të kemi një projekt të Spitalit të Kryeqytetit, pasi që veç lokacionit, kushtet janë krijuar dhe ajo do të ishte më e mira e mundshme për banorët e kryeqytetit”, ka deklaruar Gashi.
Pavarësisht përgatitjeve të deritanishme, ende nuk ka një afat konkret se kur mund të nisë ndërtimi i Spitalit të Kryeqytetit.
Mungesa e një spitali të përgjithshëm rajonal vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore të sistemit shëndetësor në Prishtinë, ku qytetarët varen nga institucionet ekzistuese shëndetësore për marrjen e shërbimeve spitalore.
