Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është arrestuar në kuadër të operacionit policor “Heshtja”, të zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, kundër një grupi të dyshuar për trafikim të kokainës.
Arrestimin e ka konfirmuar avokati i tij, Korab Bokshi, i cili ka bërë të ditur se kanë paraqitur ankesë kundër vendimit për ndalim. Ai ka konfirmuar edhe bastisjen e banesës së Haraqisë, duke theksuar se klienti i tij nuk ka të bëjë me aktivitetin për të cilin po zhvillohen hetimet.
Në operacionin e realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me AKI-në, janë arrestuar gjithsej gjashtë persona. Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, vetura luksoze, para të gatshme dhe ora të shtrenjta, me vlerë të përgjithshme të vlerësuar rreth 301 mijë euro.
Të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
