Miliarderi dhe bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, ka pranuar se ishte i shqetësuar se vajza e tij më e vogël, Phoebe Gates, do t’i kërkonte mbështetje financiare për të nisur biznesin e saj, pas vendimit të tij për të kufizuar trashëgiminë për fëmijët.
Phoebe Gates, 22 vjeçe dhe e diplomuar në Universitetin Stanford, së bashku me ish-shoqen e saj të dhomës, Sophia Kianni, kanë lansuar së fundmi një aplikacion të ri për tregti elektronike me emrin Phia. Aplikacioni synon të ndërthurë teknologjinë me modën dhe të promovojë sipërmarrjet e drejtuara nga gratë dhe markat e qëndrueshme.
Gates, i cili ka deklaruar më parë se fëmijët e tij nuk do të trashëgojnë pasurinë e tij miliardëshe, për të inkurajuar pavarësinë dhe punën e tyre, tha me humor se u ndje i lehtësuar kur mësoi se Phoebe nuk po kërkonte financim prej tij. “Mendova: ‘A do të më kërkojë para?’, por ajo doli të jetë shumë e zonja dhe e pavarur,” ka treguar ai në një intervistë të fundit.
Aplikacioni Phia tashmë ka tërhequr vëmendjen e investitorëve në Silicon Valley dhe është promovuar si një platformë që mbështet ndërrmarrësit e rinj në fushën e modës, duke përfshirë teknologji të avancuar për përvojën e përdoruesve.
