Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë dorëzon dëshmi në Institutin për Krime Lufte në Prishtinë

Para 1 vit

Ftoj të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës të cilët kanë dokumenta, fakte, fotografi, t’i dorëzojnë në këtë institucion!”, tha deputeti Kamberi

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në cilësinë e ish-kryetarit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, ka dorëzuar në Institutin për Krime Lufte në Prishtinë materiale që dëshmojnë diskriminimin etnik, keqtrajtimet dhe vrasjet e civilëve shqiptarë, para, gjatë dhe pas luftës.

Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, Kamberi tha se materialet e dorëzuara nga ai janë rezultat i punës dhe angazhimit të tij në Këshillin për të Drejtat e Njeriut në periudhën e pasluftës në Kosovë.

“Institutit për krime lufte në Prishtinë, në cilësinë e ish-kryetarit të Këshillit për të Drejtat e njeriut, i dorëzova materiale arkivore, fotografi, raporte dhe dokumenta të cilat dëshmojnë diskriminimin etnik, maltretimet dhe vrasjet e civilëve shqiptarë, para, gjatë dhe pas luftës”, shkroi Kamberi.

Kamberi ftoi edhe shqiptarët e tjerë të Luginës së Preshevës të veprojnë si ai.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës të cilët kanë dokumente, fakte, fotografi, t’i dorëzojnë në këtë institucion!”, shtoi ai.

Dëshmitë e para në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë u pranuan më 17 shkurt 2024.