Vetëm një grup operatorësh ekonomikë ka konkurruar në tenderin për asfaltimin e rrugëve lokale në Komunën e Zubin Potokut, me vlerë të parashikuar prej 450 mijë eurosh. Ndërkohë, Komuna ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim të dy kompanive, të cilat kanë kundërshtuar disa nga kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit.
Procedura e prokurimit me numër 645-26-9182-5-2-1, e iniciuar nga Kuvendi Komunal i Zubin Potokut më 21 tetor 2026, po shoqërohet me pikëpyetje lidhur me kriteret e vendosura për realizimin e projektit të asfaltimit të rrugëve lokale.
Sipas dokumentacionit të tenderit, vlera e parashikuar e kontratës është 450 mijë euro. Megjithatë, në procesin e hapjes së ofertave figuron vetëm një grup i operatorëve ekonomikë, i përbërë nga kompanitë “Plus Trade L.L.C”, “Eurotrans SH.P.K” dhe “Gursel & Bajram Sylejmani”.
Ky grup ka ofertuar me një vlerë prej mbi 447 mijë eurosh, shumë kjo që është shumë afër vlerës së parashikuar nga Komuna për këtë projekt.
Pjesëmarrja e vetëm një grupi të operatorëve ekonomikë ka ngritur shqetësime lidhur me nivelin e konkurrencës dhe mënyrën e hartimit të kritereve të tenderit. Dyshimet lidhen me mundësinë që disa prej kërkesave të përcaktuara në dosjen e tenderit të kenë qenë kufizuese për operatorët e tjerë ekonomikë.
Kompanitë kundërshtuan kriteret, por Komuna refuzoi kërkesën
Kriteret e këtij tenderi janë kundërshtuar zyrtarisht edhe nga dy kompani, “AMARI GFC SH.P.K.” dhe “Urban O.P”, të cilat kanë paraqitur kërkesë për rishqyrtim pranë Komunës së Zubin Potokut.
Në kërkesën e tyre, kompanitë kanë ngritur pretendime për shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik, duke iu referuar neneve 6, 7, 27, 28, 51 dhe 69.
Këto pretendime kanë të bëjnë me parimet e ekonomicitetit, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit, përmbajtjen e dosjes së tenderit, specifikimet teknike, si dhe kërkesat për aftësinë teknike dhe profesionale të operatorëve ekonomikë.
Megjithatë, më 28 tetor 2026, Divizioni i Prokurimit i Komunës së Zubin Potokut ka marrë vendim për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim, duke e vlerësuar atë si të pabazuar.
Në arsyetimin e vendimit, Komuna ka pretenduar se kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se kërkesat e vendosura janë të domosdoshme për realizimin e projektit.
Komuna ka dhënë sqarime edhe për kërkesat që lidhen me makineritë për asfaltim, pajisjet teknike, stafin profesional dhe certifikatat ISO, duke argumentuar se ato janë të nevojshme për garantimin e cilësisë dhe respektimin e standardeve të punimeve.
Pas refuzimit të kërkesës, Komuna ka vendosur që procedura e prokurimit të vazhdojë.
Megjithatë, fakti që në këtë tender ka konkurruar vetëm një grup operatorësh ekonomikë, oferta e të cilit është shumë afër vlerës së parashikuar prej 450 mijë eurosh, si dhe kundërshtimet e dy kompanive ndaj kritereve të tenderit, lënë hapur çështjen e nivelit të konkurrencës dhe proporcionalitetit të kërkesave të vendosura nga autoriteti kontraktues.

