Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka përshëndetur deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e një marrëveshjeje mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar nevojën për veprim të menjëhershëm për të parandaluar një katastrofë rajonale.
Sipas njoftimit të publikuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë, dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike të dielën, ku diskutuan mbi situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit, zhvillimet rajonale si dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Presidenti Erdogan theksoi se diplomacia mbetet rruga e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjes së programit bërthamor të Iranit, duke shprehur gatishmërinë e Turqisë për të ndërmjetësuar në këtë proces dhe për të kontribuar në arritjen e paqes.
“Sulmet e vazhdueshme kanë shkaktuar dëme të pakthyeshme, si ekonomikisht ashtu edhe në jetët e civilëve. Është urgjente që kjo rrugë e rrezikshme të ndalet,” – thuhet në deklaratën e Erdoganit.
Në anën tjetër, në një postim në platformën Truth Social, presidenti Trump shprehu bindjen se paqja është e mundur:
“Irani dhe Izraeli duhet të arrijnë një marrëveshje – dhe do ta arrijnë. Shumë takime dhe thirrje janë duke u zhvilluar. MAKE THE MIDDLE EAST GREAT AGAIN!” – shkroi Trump.
Deklaratat e dy liderëve vijnë në një moment kur rreziku për një përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme është në rritje, ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare po bën thirrje për qetësi dhe rikthim në tryezën e bisedimeve.
