Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc” kanë nisur pastrimin e terrenit pranë zonës së njohur si “3 rrokaqiejt” në bregun verior të lumit Ibër, si pjesë e përgatitjeve për ndërtimin e urës së re, në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeshefi Ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, i cili konfirmoi se puna ka nisur dje dhe ka vazhduar edhe sot, me qëllim të krijimit të kushteve për nisjen e punimeve ndërtimore.
“Të lumtur që si NPH ‘Ibër-Lepenc’ po mundemi të kontribuojmë edhe jashtë zonës sonë të përgjegjësisë, dje dhe sot zbarkuam te 3 rrokaqiejt, në bregun verior të lumit Ibër, dhe pastruam terrenin për ta përgatitur atë për ndërtimin e urës së re,” ka deklaruar Mujka.
Më 1 korrik, autoritetet vendore kishin vënë gurëthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër – njëra e dedikuar për këmbësorë dhe tjetra për qarkullimin e automjeteve – projekt që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjes ndërmjet pjesëve të qytetit.
