Gjykata Kushtetuese vendos: Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës duhet të bëhet me votim të hapur

Para 1 vit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar më 8 gusht aktgjykimin lidhur me krizën institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke vendosur se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me aktgjykimin e datës 26 qershor 2025, i cili përcaktonte qartë procedurat për konstituimin e Kuvendit.

Gjykata konstatoi se deputetët e zgjedhur nuk kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe si pasojë, të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Me 6 vota pro dhe 1 kundër, Gjykata urdhëroi kryesuesin e seancës konstituive të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës të miratuar më 8 prill 2025. Në përputhje me Kushtetutën, ai duhet të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin ose kandidaten për kryetar të Kuvendit, i cili do të zgjidhet përmes votimit të hapur. Ky votim mund të përsëritet deri në 3 herë për të njëjtin kandidat.

TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë;

TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;

TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.