Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka shënuar një fitore bindëse sonte në ndeshjen miqësore kundër Armenisë, me rezultat 5-2. Golat për Kosovën u shënuan nga Lumbardh Dellova, Mërgim Vojvoda, Lindon Emërllahu dhe dy herë nga Albion Rrahmani.
Qëndërmbrojtësi Lumbardh Dellova ishte autori i golit të parë të ndeshjes dhe pas përfundimit të takimit shprehu kënaqësinë e tij për golin dhe paraqitjen e ekipit. “Mundohem që gjithmonë ta jap më të mirën për Kosovën. Jam shumë i lumtur për golin, shpresojmë që të vazhdojmë kështu me fitore,” tha Dellova.
Ai shtoi se beson në sukseset e ardhshme dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së tifozëve: “Shpresoj që edhe në shtator t’i fitojmë dy ndeshjet, t’i gëzojmë tifozët që gjithmonë na rrinë pranë.”
Kjo fitore i jep përfaqësueses së Kosovës një motiv shtesë para ndeshjeve të radhës, duke rritur optimizmin për të ardhmen e ekipit kombëtar.
