Kuvendi cakton seancën e 15 tetorit, në fokus edhe Ligji për Specialen

Para 4 ditë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e udhëhequr nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, ka caktuar seancën plenare për 15 tetor.

Në këtë seancë pritet të shqyrtohet projektligji kundër pastrimit të parave, si dhe plotësimi i bordeve të Bankës Qendrore të Kosovës dhe Radio Televizionit të Kosovës.

Pas mbledhjes së Kryesisë, vëmendje morën edhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, pas kritikave të komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

Partia që inicioi ndryshimet ka deklaruar se synon një proces të drejtë në Hagë, ndërsa nga Aleanca që e mbështeti nismën u kërkua që Kuvendi të vazhdojë përkrahjen për krerët e UÇK-së.

Nga partia në pushtet, ndërkaq, u theksua se përgatitjet për fazën e Apelit duhet të bëhen përmes një strategjie shtetërore dhe koordinimit institucional.