Labinot Maliqi reagon ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për shaminë në shkolla

Para 11 muaj

Imami dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe, Labinot Maliqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që konfirmoi kompetencën e MAShTI-t për të përcaktuar rregulla mbi uniformën shkollore.

Ai tha se vendimi është formalisht i vlefshëm, por në thelb “i diskutueshëm” në raport me të drejtat themelore të njeriut dhe parimin e barazisë. Sipas tij, ndalimi i shamisë nuk ka të bëjë me uniformën shkollore, por është kthyer në “mjet përjashtimi dhe diskriminimi” ndaj nxënëseve besimtare.

Maliqi theksoi se Udhëzimi Administrativ Nr. 06/2014, i cili ndalon “uniformën fetare”, nuk e përkufizon qartë këtë term dhe se shamia me fytyrë të dukshme nuk mund të konsiderohet uniformë fetare. Ai e cilësoi këtë paqartësi si burim të interpretimeve arbitrare dhe praktikave diskriminuese.

Sipas tij, ndalesa bie ndesh me nenet 24, 38 dhe 47 të Kushtetutës, që garantojnë barazinë para ligjit, lirinë e besimit dhe të drejtën për arsimim.

Maliqi i bëri thirrje MAShTI-t që ta rishqyrtojë nenin 1.13 dhe ta harmonizojë me Kushtetutën dhe standardet evropiane, duke lejuar mbajtjen e shamisë që nuk mbulon fytyrën. Ai tha se një rishikim i tillë do të mbronte të drejtat themelore dhe do të dërgonte mesazhin se Kosova respekton lirinë dhe dinjitetin e gruas.