“Memli Krasniqi po e synon postin e kryeministrit, partneritet me LDK-në për qeverinë e ardhshme”

Para 1 vit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e paraparë të jetë partnere në qeverinë e ardhshme. Ai ka theksuar se këtë mesazh ia ka komunikuar edhe privatisht, por edhe publikisht kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Krasniqi ka shtuar se PDK-ja dëshiron të bashkëpunojë me LDK-në për formimin e një qeverie të re, duke besuar se është më e mira që të krijohet një koalicion mes partive që kanë qenë në opozitë deri tani.

Në një intervistë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Krasniqi tha se në rast të një qeverie të mundshme të opozitës, do të angazhohen për të përfunduar projektet e mbetura të infrastrukturës dhe për të rritur pagat dhe pensionet, duke i dhënë prioritet zhvillimit ekonomik. Ai gjithashtu shprehu bindjen se, nëse nuk zgjidhet çështja e presidentit brenda 9-10 muajve, do të realizojnë më shumë punë se Qeveria Kurti, e cila, sipas tij, nuk ka arritur të përfundojë projektet e nisura.

“Ne nuk do të lëmë pas asnjë punë të papërfunduar. Pas 4 vjetësh qeverisje nga Albin Kurti, ku shumë projekte mbetën të pa realizuara, ne do të përfundojmë rrugët që kanë mbetur, përfshirë ato që ishin 80% të përfunduara”, tha Krasniqi.