Në pesëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, Krasniqi kërkon drejtësi dhe liri

Para 11 muaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar në pesëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ai ka theksuar se procesi i tyre gjyqësor në Hagë po zvarritet padrejtësisht, ndërsa ka kujtuar se ata u dorëzuan me dinjitet dhe besim në drejtësi.

Krasniqi tha se për 1,826 ditë ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjet me durim, dhe se Kosova kërkon vetëm atë që u takon bijve të saj: drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët.

Ky është postimi i plotë i tij:

Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton.

Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës.

Dhe kjo histori e vendit tonë nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë. Ajo është shkruar me gjak, me sakrificë dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë.

Për 1,826 ditë, ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, me durim e me besim. Për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë.

Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!