Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mblidhet sot në orën 21:00 për të shqyrtuar raportin gjashtëmujor të UNMIK-ut për Kosovën, që përfshin periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2026.
Sipas raportit, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka mbetur stabile, ndërsa bllokada institucionale ka vazhduar dhe përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ka mbetur i kufizuar.
Dokumenti trajton edhe zhvillimet në fushën e drejtësisë, përfshirë arrestimet e personave të dyshuar për krime lufte, dënimin e tre personave për sulmin në Banjskë dhe mbylljen e institucioneve paralele serbe që kanë funksionuar në Kosovë.
Në raport përmenden gjithashtu zhvillimet lidhur me praninë e KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe masat e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit.
Mbledhja pritet të shërbejë për shqyrtimin e zhvillimeve politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së raportimit.
