Studentët protestojnë para Rektoratit të UP-së, kërkojnë dorëheqjen e rektorit Hajrullahu

Para 1 ditë

Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë protestuar të enjten para objektit të Rektoratit, duke kërkuar dorëheqjen e rektorit Arben Hajrullahu, pas një emaili të dërguar nga ky i fundit, të cilin studentët e kanë cilësuar si kërcënues.

Protesta është organizuar në shenjë pakënaqësie ndaj përgjigjes së rektorit për kërkesat e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Sipas protestuesve, në emailin e kthyer të hënën në mëngjes, Hajrullahu i ka paralajmëruar ata për pezullim të provimeve, heqje të afateve dhe madje humbje të statusit të studentit.

Gjatë protestës, studentët kanë tentuar të hyjnë në objektin e Rektoratit, ndërsa në hyrje kanë vendosur pankarta me mesazhe ironizuese ndaj rektorit.

Pas kësaj, rektori Hajrullahu ka ftuar përfaqësuesit e studentëve në një takim brenda objektit, por ftesa është refuzuar nga ta, me arsyetimin se tashmë është vonë për një takim të tillë.

Njëri nga protestuesit ka thënë se studentët janë mbledhur për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre dhe që zëri i tyre të dëgjohet në vendimmarrjen e universitetit.

Ai ka theksuar se, pavarësisht se jo të gjithë protestuesit janë nga Fakulteti i Mjekësisë, ata janë solidarizuar me kolegët e tyre dhe kundërshtojnë çdo formë presioni ndaj studentëve.

Ndërkaq, një student i Fakultetit të Mjekësisë ka deklaruar se kërkesa e tyre fillestare kishte për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje, por përgjigjja e rektorit është interpretuar nga studentët si kërcënim për statusin e tyre akademik.

Studentët kanë kërkuar që rektori të tërhiqet nga deklaratat, të kërkojë falje publike dhe që Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ta thërrasë atë në përgjegjësi.

Ata kanë theksuar se universiteti nuk mund të funksionojë pa studentët dhe se kërkesat e tyre duhet të jenë prioritet për institucionin.

Studentët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi institucionale, duke insistuar që të drejtat dhe dinjiteti i tyre të respektohen.