Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar për mundësinë e rikthimit të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke bërë të ditur se për këtë çështje tashmë po diskutohet në disa kryeqytete evropiane.
Në një intervistë në emisionin “ADRESA” në Kanal 10, Osmani ka deklaruar se është informuar se ekzistojnë diskutime për rikthimin e masave, të cilat, sipas saj, lidhen me Ligjin për Specialen.
“Mua më janë konfirmuar se po diskutohet që Kosovës t’i rikthehen masat, e kjo po ndodh për arsyen e Ligjit për Specialen”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar se ende nuk dihet nëse masat e mundshme do të kenë karakter ekonomik apo politik.
Osmani ka kundërshtuar mundësinë e vendosjes së masave të reja, duke argumentuar se pasojat nuk duhet t’i bartin qytetarët për shkak të veprimeve të politikanëve.
“Sikur i kam kundërshtuar edhe më herët, i kundërshtoj edhe tani, sepse nuk mund të dëmtohen qytetarët për fajin e politikanëve”, ka theksuar ajo.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur se çfarë forme mund të marrin masat e mundshme apo nëse institucionet e Bashkimit Evropian kanë marrë ndonjë vendim konkret për këtë çështje.
