Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë, me 91 vota për, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndër ndryshimet e propozuara janë edhe dispozitat që rregullojnë transferimin e personave të privuar nga liria në Kosovë dhe vazhdimin e procedurave pas transferimit.
Sipas nenit 8, në rast se procedura ndaj një personi të privuar nga liria përfundon para Dhomave për shkak të mungesës së juridiksionit, transferimi i tij në Kosovë bëhet në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet me shtetin pranues.
Pas mbërritjes në Kosovë, personi duhet të paraqitet para gjyqtarit kompetent brenda 48 orësh. Gjykata kompetente shqyrton në mënyrë të pavarur ligjshmërinë dhe nevojën e vazhdimit të privimit nga liria dhe vendos për paraburgim ose masa alternative.
Projektligji parashikon gjithashtu që transferimi fizik të organizohet pa vonesë dhe të synohet të përfundojë brenda 15 ditësh nga vendimi për transferim. Koha e kaluar në paraburgim ose privim nga liria në kuadër të Dhomave do të llogaritet sipas legjislacionit të Kosovës.
Ndërkaq, neni 11 përcakton vazhdimin e procedurave pas transferimit. Autoritetet kompetente të Kosovës do të ndërmarrin veprimet procedurale të nevojshme sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Provat e mbledhura nga Dhomat do të vlerësohen sipas rregullave të pranueshmërisë, ligjshmërisë dhe vlerës provuese të përcaktuara nga legjislacioni i Kosovës. Autoritetet kosovare mund të kërkojnë nga Dhomat ose Zyra e Prokurorit të Specializuar edhe dokumente dhe materiale shtesë për vazhdimin e procedurës.
Projektligji, i miratuar në lexim të parë, tashmë pritet të kalojë në fazat e tjera të shqyrtimit parlamentar.
