Qarkullimi në disa rrugë të Kosovës ndërpritet përkohësisht për shkak të vizitës së presidentit të Këshillit Evropian

Para 1 vit

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 14 dhe 15 maj do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, për shkak të vizitës zyrtare në vend të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Luis Santos da Costa.

Në një komunikatë për media, Policia thekson se është në bashkërendim të plotë me autoritetet kompetente për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj vizite dhe për të siguruar rendin dhe qetësinë publike gjatë qëndrimit të zyrtarit të lartë evropian në Kosovë.

Për të mundësuar lëvizjen e lirë të delegacionit sipas itinerarit dhe zhvillimin e takimeve zyrtare, do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa rrugë, në intervale të shkurtra kohore. Po ashtu, në disa raste, trafiku mund të riorientohet në rrugë alternative.

Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, duke theksuar se këto masa janë të nevojshme për garantimin e sigurisë gjatë vizitës.