Rigjykimi i Endrit Nikës për vdekjen e Maria Clara Urdangaray, sot në Pallatin e Drejtësisë

Para 4 ditë

Në orën 09:30, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, pritet të mbahet seanca e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i dënuar më parë me 18 vjet burgim për vrasjen e partneres së tij, shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray.

Më 19 shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur Nikën fajtor për veprën penale “vrasje e rëndë”. Pas zhvillimeve në procedurën gjyqësore, rasti tashmë është kthyer në rigjykim.

Urdangaray vdiq më 1 gusht 2023, pasi kishte rënë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit “Sonoma” në Fushë Kosovë, ku po qëndronte me Nikën.

Sipas aktakuzës, gjatë incidentit kishte pasur goditje dhe shtyrje, ndërsa Nika e kishte mohuar se e kishte prekur me dorë, duke dhënë versionin e tij për ngjarjen.

Rasti mori vëmendje të madhe edhe pas emisionit hulumtues “MAT” të Klan Kosovës, ku u publikuan pamje të kamerave nga vendi i ngjarjes dhe detaje të tjera të hetimit.