Sara Gjordeni ka ndarë për herë të parë videon emocionuese të momentit kur i dha partnerit të saj, këngëtarit Bardhi, lajmin se do të bëheshin prindër për herë të dytë.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Sara ka treguar se kishte përgatitur një surprizë të veçantë për Bardhin, duke e përfshirë në një lojë të vogël ku ai duhej të përsëriste fjalët e saj. Në fund, surpriza u kthye në një moment të mbushur me emocione dhe lot gëzimi.
Por, përtej lajmit të bukur, Sara ka rrëfyer edhe periudhën e vështirë që kishte kaluar para se të zbulonte shtatzëninë.
Ajo tregoi se gjatë muajit prill kishte përjetuar probleme të vazhdueshme shëndetësore, si rrahje të pazakonta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje dhe ankth të fortë. Pavarësisht kontrolleve te kardiologu, nuk ishte gjetur një shpjegim i qartë për shqetësimet e saj.
Sipas Sarës, kjo situatë kishte qenë emocionalisht e vështirë për të dy, pasi shqetësimi për shëndetin e saj po rritej dita-ditës.
Gjithçka mori një kthesë të papritur kur, një mbrëmje, disa teste shtatzënie zbuluan se ajo ishte në pritje të ëmbël. Lajmi solli një lumturi të madhe, por edhe një ndjenjë lehtësimi pas gjithë pasigurisë së përjetuar.
“Kjo video për ne nuk ishte vetëm reflektimi i ngazëllimit për një tjetër jetë që dashuria jonë po sillte në tokë, por edhe një lirim shpirtëror”, shkroi Sara në publikimin e saj.
Kujtojmë se Sara Gjordeni dhe Bardhi u njohën gjatë pjesëmarrjes në spektaklin “Big Brother VIP Albania 3” dhe tashmë janë prindër të vajzës Nea. Çifti është në pritje të fëmijës së tyre të dytë, një tjetër vajzë që pritet të plotësojë më tej familjen e tyre.
