Shtetasi i Kosovës, Selim Voca, është gjetur i vdekur në Serbi, dy ditë pasi bashkëshortja e tij e kishte raportuar të zhdukur në Policinë e Mitrovicës së Jugut. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Voca ka humbur jetën në një aksident me tren në qytetin Aleksinac.
MPJD ka konfirmuar se trupi i viktimës ndodhet aktualisht në Spitalin e Nishit, ndërsa institucionet e Kosovës janë angazhuar për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë të trupit në vendlindje.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe autoritetet përkatëse, me qëllim të ofrimit të asistencës së nevojshme dhe lehtësimit të procedurave,” ka bërë të ditur MPJD-ja, raporton klankosova.tv.
Institucionet kosovare kanë theksuar se rasti do të trajtohet me seriozitet dhe urgjencë të plotë.
