Zhvendosja nga “Asim Vokshi” në “Zenel Hajdini” shqetëson prindërit në Prishtinë

Para 1 vit

Prindërit e nxënësve të shkollës fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë kanë protestuar sot përpara objektit të shkollës “Zenel Hajdini”, duke kundërshtuar zhvendosjen e fëmijëve të tyre.

Ata shprehën shqetësime për distancën e largët që fëmijët duhet të përshkojnë çdo ditë, si dhe për rrezikun që paraqet rruga që kalon përmes magjistrales Prishtinë–Podujevë. Sipas tyre, kjo zhvendosje i ekspozon fëmijët ndaj rreziqeve të mëdha në trafik.

“Para disa ditësh një fëmijë është përfshirë në aksident. Kjo rrugë është ndër më të ngarkuarat në Prishtinë dhe fëmijët po rrezikohen çdo ditë”, deklaroi Florim Zejnullahu, një nga prindërit pjesëmarrës në protestë.

Prindërit kërkojnë kthimin e nxënësve në objektin e mëparshëm, derisa paralajmërojnë se nëse nuk merret një zgjidhje e shpejtë, protestat do të vazhdojnë.