Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar nga një muaj paraburgim katër të miturve, të dyshuar për veprën penale të vrasjes në tentativë.
Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 11 nëntor, rreth orës 10:25, në rrugën “Mësuesit e viteve të 90-ta” në Gjilan.
Të miturit dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, kanë sulmuar dy persona, me inicialet L. U. dhe A. Sh. Gjatë sulmit, njëri nga të dyshuarit dyshohet se i ka goditur viktimat me thikë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, njëri nga të dëmtuarit është goditur një herë në anën e djathtë të kraharorit, ndërsa tjetri ka marrë dy goditje në shpinë, afër boshtit kurrizor.
Të dy të dëmtuarit kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, njëri prej tyre është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë, për trajtim të mëtejmë.
Gjykata ka vendosur që katër të miturit të qëndrojnë në paraburgim për një muaj, ndërsa rasti po trajtohet nga organet e drejtësisë.
