Ish-zëdhënësi i NATO-s: Trupat amerikane në KFOR e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë

Para 1 vit

Nëse Shtetet e Bashkuara kanë trupa ushtarake në një vend, kanë tendencë të interesohen për gjeopolitikën e atij shteti, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea.

Ai thekson rëndësinë e pranisë së trupave amerikane në Kosovë që në mënyrë SHBA-ja të mbahet e angazhuar në diplomacinë konstruktive rajonale.

“Trupat amerikane gjithashtu e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë”, thotë Shea në një intervistë për KosovaPress, duke theksuar se nuk pret që presidenti amerikan të tërheqë trupat nga Evropa. Aktualisht, SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë.

KFOR-i në Kosovë – që është garantuesi i tretë – i ka rreth 4.600 pjesëtarë, prej tyre 600 janë trupa amerikane.

Shea shpjegon se numri i forcave amerikane në Kosovë nuk paraqet barrë për buxhetin e Pentagonit por promovon nivel të jashtëzakonshëm stabiliteti.

“Sigurisht, prania amerikane është e rëndësishme. E dini, NATO, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe evropianët, realizuan fushatën ajrore në vitin 1999. SHBA-ja dhe Evropa punuan së bashku për të sjellë paqe në Bosnje e Hercegovinë pas vitit 1995. Dhe, sigurisht, KFOR-i ka qenë aty tashmë për më shumë se një çerek shekulli. Kështu që ka qenë një histori e madhe suksesi për shkak të këtij partneriteti transatlantik. Kur e konsideroni zhvendosjen e forcave amerikane në mbarë botën, në Korenë e Jugut, në Japoni, në Filipine, në disa pjesë të Lindjes së Mesme, dhe sigurisht, në Evropë, numri në Kosovë është i vogël. Është shumë, shumë i vogël. Nuk është një barrë e madhe për buxhetin e Pentagonit”, tha ai.